93.75 mln lekë për rrugën alternative Librazhd–Prrenjas, ARRSH gati tenderin
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurën për ndërtimin e rrugës alternative në segmentin Librazhd–Prrenjas pas rrëshqitjes së ndodhur në zonën “Arrat e Gurrës”.
Sipas njoftimit të publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, kostoja e ndërhyrjes është rreth 93.75 milionë lekë. Procedura do të zhvillohet me negocim pa njoftim, çka do të thotë se kompania që do të realizojë punimet do të kontraktohet drejtpërdrejt pa një garë të hapur. Rrëshqitja e ndodhur në këtë segment bllokoi për 11 ditë qarkullimin drejt juglindjes së vendit në aksin kryesor Librazhd–Prrenjas.
Rruga provizore dhe projekti alternativ
Aktualisht lëvizja e automjeteve kryhet përmes një devijimi provizor të ndërtuar pranë aksit ekzistues, ndërsa rruga alternative do të ndërtohet në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.
Segmenti provizor funksionon me sinjalistikë kantieri dhe për momentin është i paasfaltuar. Asfaltimi përfundimtar do të kryhet pasi të stabilizohen shtresat e rrugës.
Debatet për shkaqet e rrëshqitjes
Autoritetet kanë deklaruar se rrëshqitja ka ndodhur për shkaqe natyrore dhe nuk lidhet me punimet për Korridorin VIII. Megjithatë, disa ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile kanë ngritur dyshime se punimet për ndërtimin e aksit të ri mund të kenë ndikuar në destabilizimin e zonës dhe në ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin.
Aktualisht qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas është i hapur për të gjitha mjetet, përfshirë edhe tonazhin e rëndë, por me kufizim ngarkese deri në 8.2 ton për aks.